Argjentina dhe Nigeria do të takohen edhe për herë të pestë mes tyre në kuadër të Kampionateve Botërore, njofton “infOSport.mk”. Kështu vendosi shorti i hedhur sot në Moskë të Rusisë, ku pak më herët u mësuan edhe 8 grupet me nga 4 skuadra, të cilat nga data 14 qershor deri me 15 korrik të vitit 2018-të do të luftojnë për trofeun e madh të Kupës së Botës.
Argjentina dhe Nigeria që nga Botërori i vitit 1994 në SHBA, thuajse çdo Kampionat luajnë përballë njëra tjetrës. Ndeshja e parë mes tyre e zhvilluar në Boston ishte mbyllur me fitoren 2:1 të Argjentinës, kur të dy golat për “gauçosët” i kishte shënuar Klaudio Kanixha.
Gjatë vitit 2002 Argjentina falë golit të Gabriel Batistutas kishte shënuar fitore minimale 1:0, mirëpo më pas të besuarit e trajnerit Bielsa u eliminuan çuditërisht nga Botërori, duke mos arritur që të kalojnë edhe grupin.
Gjatë vitit 2010 Argjentina realizoi një fitore tjetër të rradhës minimale 1:0 ndaj Nigerisë falë golit të shënuar nga ana e mbrojtësit, Gabriel Hajnce. Për herë të fundit këto dy kombëtare u takuan në Botërorin e vitit 2014-të në Brazil, kur skuadra amerikano jugore shënoi fitore 3:2 falë golave të shënuar nga Lionel Messi (2 gola) dhe Markos Roho, teksa autorë i të dy golave për Nigerinë në atë ndeshje të 25 qershorit ishte Ahmed Musa.