E kishte nisur karrierën si futbolliste, mirëpo më pas kishte vendosur të bëhet portiere. Fjalën e kemi për struganen 17-vjeçare Syarta Reçi, e cila megjithatë nuk mund të harrojë zanatin e vjetër, shënimin e golave, njofton “infOSport.mk”.
Pikërisht dëshira e madhe për golin, ka bërë që kjo talente e rrallë të marrë përsipër goditjet e dënimit dhe penaltitë te skuadra e saj AS Junajted.
Edhe pse në rolin e portierit, ajo gjatë këtij edicioni me fanellën e skuadrës nga Struga që garon në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë në konkurrencë të femrave ka shënuar 3 gola, dy prej të cilëve nga gjuajtjet e lira dhe një nga pika e bardhë.
Syarta Reçi, një Rozherio Seni shqiptare
Njihuni me portieren shqiptare Syarta REÇI që me golat e saj nga goditjet e lira po mahnit të gjithë futbolldashësit në vend dhe më gjërë
Публикувахте от infosport.mk в 30 ноември 2017 г.
“Me këtë sport jam marrë gjithmonë, prej në moshë shumë të vogël dhe gjithmonë kam pasur dëshirë që të jem pjesë e një klubi futbollistik për femra. Gjithashtu kam pasur dëshirë që të jem edhe pjesë e kombëtares së Maqedonisë. Më pëlqen ky sport, është ndryshe nga sportet e tjera, më bënë të ndihem shumë mirë, stërvitjet, ndeshjet. Dëshira që kam ndaj këtij sporti thjesht është shumë e madhe” – tha fillimisht për “infOSport.mk” portierja strugane, Syarta Reçi, e cila lidhur me goditjet e dënimit që i ekzekuton në mënyrë perfekte, u shpreh se dëshira e saj për golat ka bërë që ajo të marrë këtë hap: “E kam nisur si futbolliste. Pra deri në moshën 13-vjeçare kam luajtur, ndërsa si portiere kam vendosur të bëhem nga mosha 14 vjeçare. Megjithatë dëshira për të shënuar ende është në brendësinë time dhe pikërisht kjo bënë që unë të ushtrojë goditjet e lira edhe gjatë stërvitjeve që i bëjë me skuadrën”.
Në pyetjen tonë, se nga ky inspirim, Reçi përgjigjet shkurt: “Rozherio Seni”, ndërkohë sa i përket futbollistit dhe ekipit që anon, është Barcelona dhe Lionel Messi.
Syarta Reçi falë paraqitjeve të mira me ekipin e AS Junajted vazhdimisht është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë.
Ajo ka zhvilluar plotë 18 ndeshje me përfaqësuesen U17, për të cilën ka shënuar një gol nga gjuajtja e lirë në përballjen ndaj Azerbajxhanit, ndërsa 7 ndeshje ka zhvilluar me përfaqësuesen U19, me të cilën vazhdon të luaj dhe ku për trajner ka Astrit Merkon, i cili njëherit udhëheq edhe skuadrën e AS Junajted.
Ajo gjithashtu ka debutuar edhe me përfaqësuesen A të Maqedonisë që në moshën e saj 15-vjeçare, duke u bërë njëherit edhe debutuesja më e re me fanellën “verdhekuq” në ndeshjen miqësore ndaj Malit të Zi.
Gjitha këto të dhëna janë një tregues i mirë se para Syarta Reçit është një karrierë e ndritshme dhe se me pak fat kjo 17-vjeçare shumë shpejtë do të bëhet pjesë e skuadrave evropiane, që njëherit është edhe synimi i saj.