Shkëndija U19 është kualifikuar për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë në kategori të juniorëve, pasi në çerekfinale eliminoi Vardarin. Skuadrës tetovare në këtë ndeshje u mjaftoi barazimi 1:1 për të nxjerë jashta garave rivalin, pasi takimi i parë në Shkup ishte mbyllur me shifrat 3:3 dhe Shkëndija kalon më tej falë më shumë golave të shënuar në terren mysafir.
Djemtë e trajnerit Bekim Osmani të vetëdijshëm për vlerën e ndeshjes dhe faktit që kishin rezultat të favorshëm nga ndeshja e parë menaxhuan si duhet përballjen dhe kishin kontroll të lojës. Edhe pse kishin në favor edhe rezultatin e fillimit 0:0, megjithatë shpresat kuqezi nuk donin të rrezikojnë dhe në minutën e 22-të me anë të Arbin Zejnullait gjetën golin e epërsisë për 1:0.
Në pjesën e dytë Vardari u mundua të rikthehet, mirëpo e tëra që arritën të bëjnë ishte goli i barazimit nga futbollisti shqiptarë, Jakup Berisha në minutën e 58-të. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe kualifikimit në gjysmëfinale i’u gëzuan shpresat e Shkëndijës. Kujtojmë se përveç gjeneratës U19, në gjysmëfinale të Kupës në kategoritë e tyre janë kualifikuar edhe gjeneratat U17 dhe U16, ndërsa të enjten Shkëndija U18 luan takimin e kthimit në Shkup me Vardarin.
Shkëndija në ndeshjen e parë të zhvilluar në Tetovë kishte shënuar fitore me rezultatin 2:1.