Te Shkëndija ka shumë kampionë, por dy prej tyre i kalojnë kufijtë e normales për peshën që kanë te skuadra tetovare, njofton “infOSport.mk”.
Fjalën e kemi për mbrojtësin Egzon Bejtullai dhe portierin Kostadin Zahov, të cilët këtë sezon kanë luajtur nga 1590 minuta me fanellën e “kuqezinjëve”, apo në të gjitha 17 ndeshjet kampionale.
Mbrojtësi Bejtullai madje këtë sezon iu gëzua golit të tij të parë në karrierë të shënuar në ndeshjen e 19 nëntorit ndaj Skopjes, në të cilën ndeshje Shkëndija si vendase kishte shënuar fitore me rezultatin 4:0.
Ai përveç golit të shënuar gjatë këtyre 17 ndeshjeve, në katër raste është ndëshkuar me kartonë të verdhë, ashtu që kartoni i rradhës do t’ia pamundësojë atij për të vazhduar në këtë ritëm me zhvillimin e ndeshjeve të një pasnjëshme.
Nëse krahasojmë sezonin e kaluar, Bejtullai gjatë 17 javëve të para, në vetëm 14 prej tyre kishte qenë titullarë, ndërsa në 3 ndeshje ishte inkuadruar në lojë si zëvendësues. Pra me Osmanin në krye të Shkëndijës, Bejtullai tashmë është bërë një titullarë i padiskutueshëm te Shkëndija, njëjtë sikurse edhe portieri Kostadin Zahov, transmeton “infOSport.mk”.
Gardiani 30-vjeçar edhe përkundër kritikave pas disfatës së parë të këtij sezoni ndaj Vardarit në Shkup, ai vazhdoi të ketë besimin e trajnerit Qatip Osmani, njëjtë sikurse edhe në ndeshjet e Liga Evropa, ku ishte një titullarë i padiskutueshëm.
Zahov në 17 ndeshje ka pësuar 18 gola, ndërsa në dy raste është ndëshkuar me kartonë të verdhë.
Pas dyshes Bejtullai – Zahov, vijon Besart Ibraimi me 1504 minuta lojë. Bomberi kërçovarë gjithashtu ka startuar në të gjitha 17 ndeshjet me Shkëndijën gjatë këtij sezoni, mirëpo në 5 ndeshje ai është zëvendësuar nga ana e trajnerit Qatip Osmani.
Pas kësaj tresheje renditen Armend Alimi (1470 minuta), Ardian Cuculi (1134 minuta) dhe kapiteni Ferhan Hasani (1287 minuta), i cili njëherit me 16 golat e tij rezulton të jetë golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit vendor.