Skuadra e Atletik Bilbaos ka përjetuar një ndër disfatat më turpëruese në historikun e saj, pasi sonte u eliminua nga Kupa e Mbretit që në 1/16 e finales, edhe atë nga skuadra amatore e Formentera, që garon në Kategorinë e tretë, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave e zhvilluar në ishullin Baleare ishte mbyllur me barazimin 1:1. Sonte në Bilbao vendasit e Atletik zhvilluan një pjesë të parë shumë të dobët, ndërsa gjatë pjesës së dytë humbën shumë raste shënimi, ndërsa si dënim erdhi goli i shënuar nga minutën e 95-të nga skuadra mysafire me autorë Alvaro Munis. Kjo ndeshje u zhvillua para një numri të vogël rekord në stadiumin e ri “San Mamesh”, ku ishin grumbulluar vetëm 14 294 tifoz, që është nën standardet e ndeshjeve të Atletik Bilbaos.
Për dallim nga kjo skuadër, Atletiko Madridi pa probleme vazhdoi më tej, pasi sonte para tifozëve të vetë me rezultatin 3:0 mposhti Elçen, ndaj së cilës skuadër në ndeshjen e parë si mysafir kishte barazuar 1:1. Fernando Tores shënoi dy gola në këtë përballje për “jorganxhinjët”, nga një në secilën pjesë, teksa golin e parë e kishte realizuar Himenez.
Deportivo Lakorunja edhe përkundër fitores 3:2 në transfertën ndaj Las Palmas, duheshe të përshëndetet me Kupën e Mbretit, pasi në ndeshjen e parë në Riazor, kjo skuadër kishte pësuar disfatë me rezultatin 4:1.
Kësisoj Las Palmas u bashkohet skuadrave si Atletiko Madrid, Formentera, Sevilja, Barcelona dhe Lleida, që sonte kishin siguruar kualifikimin për ndeshjet e 1/8 së finales.