Hasani i vetëm ka shënuar sa i gjithë Sileksi i vendit të tretë

Ferhan Hasani po zhvillon një ndër sezonet më të mira me fanellën e Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Kapiteni i “kuqezinjëve” nga Tetova është pa dyshim motori i kësaj skuadre dhe një ndër më të merituarit që Shkëndija kryeson renditjen bindshëm në elitën e futbollit vendor.

Ferhan Hasani – BUBA në 15 ndeshje ka shënuar 16 gola, duke kryesuar bindshëm listën e golashënuesve. Pas tij me 12 gola gjindet shoku i tij i skuadrës, Besart Ibraimi, një dyshe kjo e frikshme që së bashku kanë shënuar 28 gola, apo më shumë se gjysma e golave të shënuar nga ana e skuadrës tetovare që në 17 javë ka realizuar 52 gola.

Megjithatë interesant është fakti se Hasani i vetëm ka numër të njëjtë të golave, po aq sa ka edhe skuadra e tretë në tabelën e klasifikimit, Sileksi.

Sileksi pas 17 xhirove të para ka shënuar 16, ndërsa ka pranuar 18 gola, por ajo që është me rëndësi, skuadra nga Kratova ka grumbulluar 28 pikë dhe aktualisht ndodhet pas dyshes, Shkëndija – Vardari.

Këta të fundit kanë 32 pikë dhe dy ndeshje më pak se skuadra tetovare, që me 43 pikë kryeson bindshëm për momentin renditjen tabelare në LPFM.

Leave a Reply