Spektakël, emocione pa fund dhe dy gola të shënuar, mirëpo pa fitues është mbyllur derbi ndeshja e javës së 13-të në La Liga midis Valencias dhe Barcelonës, njofton “infOSport.mk”. Që të dyja këto skuadra në këtë mënyrë vazhdojnë të mos pësojnë humbje dhe të udhëheqin vallen në renditjen e La Liga-s, me Barcelonën në krye.
Pjesa e parë e këtij takimi solli edhe një gafë të madhe nga ana e arbitrave të këtij takimi, pasi e dëmtuan Barcelonën për një gol të sigurtë.
Leo Messi gjuajti nga distanca, teksa portierit të Valencias i shpëtoi topi nga duart e më pas hyri në portë. Topi kaloi vijën fatale, plotësisht, por portieri i Valencias nxorri “sferën” nga porta e tij duke “gënjyer” arbitrin kryesor të takimit, i cili nuk e vuri re se topi kishte hyrë në portë.
Goli i Messit nuk u akordua nga arbitri kryesor, duke i mohuar Barcelonës një gol të rregullt. Një episod që do të shkaktojë shumë zhurmë në Spanjë, pikërisht në La Liga, ku nuk gjen ende përdorim teknologjia në futboll.
Pas pjesës së parë pa gola, saktësisht pas një ore lojë Valencia falë një aksioni të përkryer të zhvilluar nga e majta me anë të Rodrigo Morenos kaloi në epërsi. Ky gol solli shumë gëzim në mesin e futbollistëve vendas dhe tifozëve të tyre, të cilët kishin stërmbushur sonte stadiumin e tyre.
Megjithatë kur në skuadër ke një Messi, gjërat bëhen më të lehta. Pikërisht një super asist nga ana e argjentinasit për Zhordi Alban në minutën e 82-të, bëri që Barcelona nga “Mestalja” të largohet me një pikë të madhe, që e sheh skuadrën “katalunase” në krye të renditjes me 35 pikë, 4 më shumë se Valencia.