Skuadra e Struga Trim Lum që garon në Ligën e Dytë të Maqedonisë – Perëndim do të përfaqësoja vendin tonë në turneun e përvitshëm “Kupa Pavarësia”, i cili organizohet tradicionalisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, në kuadër të festave të nëntorit, njofton “infOSport.mk”.
Është ky edicioni i 9-të i Kupës “Pavarësia”, aktivitet i cili në vitet e fundit është zhvilluar në Durrës e Tiranë, teksa këtë radhë Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të organizojë këtë aktivitet në Korçë.
Përveç Struga Trim Lum në këtë turne do të marrin pjesë edhe Tirana, Otranti nga Ulqini i Malit të Zi dhe Liria e Prizrenit.
Çiftet do të ndahen me short një ditë përpara, teksa me 28 nëntor ndeshjet do të jenë me nga 45 minuta, dhe finalja do të luhet në stadiumin e qytetit të Korçës po të njëjtën ditë.
Rikujtojmë është kjo hera e parë që Struga Trim Lum do të marrë pjesë në këtë turne, ndërsa më parë pjesë e saj ishin dy skuadrat tetovare, Renova dhe Shkëndija.