Derbi tetovar midis Renovës dhe Shkëndijës zë hapësirën kryesore sot në futbollin vendor. Në prag të këtij takimi derbi për “infOSport.mk” ka folur edhe kapiteni i “gjipspunuesve”, Fisnik Nuhiu, i cili pranon se Shkëndija është favorit, por se ndeshje të këtilla derbi dinë të sjellin edhe befasira.
“Ndeshje ku Shkëndija është favorit sepse kanë ekip kualitativ dhe janë në formë të mirë, kurse ne jemi në një seri prej 3 humbjeve të njëpasnjëshme dhe kjo ndikon që vetëbesimi dhe atmosfera nuk janë në nivelin e duhur. Megjithatë është ky një derbi lokal ku mund të ndodhin edhe befasira. Ne do japim maksimumin, do luajmë një lojë të disciplinuar, që nëse na jepet shansi të shkëpusim pikë sepse kemi nevojë shumë për pikë në këto dy ndeshjet e fundit kampionale” – u shpreh për “infOSport.mk” kapiteni i Renovës, Fisnik Nuhiu.
Ai thotë se mbrojtja e Renovës sot duhet të jetë perfekte përballë futbollistëve të Shkëndijës në rast se dëshiron të nxjerrë një rezultat pozitiv.
“Mendoj se nëse e fillojmë ndeshjen si duhet dhe nuk pësojm gol të hershëm, ashtu si do rrjedhë loja, ashtu do kemi hapësira për të shënuar. Duhet të jemi perfekt në mbrojtje nëse duam rezultat pozitiv, sepse Shkëndija ka individualista që mund ta vendosin ndeshjen” – përfundoi Nuhiu.
Kapiteni i “gjispunuesve” kishte qenë njëri prej autorëve të golave në ndeshjen e fundit që Renova e kishte zhvilluar ndaj Shkëndijës si vendas. Ai kishte shënuar golin e parë në barazimin 4:4, ndërsa shpreson se një lojë e tillë të përsëritet edhe sot, me qëllim që të gjithë të pranishmit të kënaqen me golat dhe lojën që do shfaqin në teren aktorët e të dyja skuadrave.