Borusia e Dortmundit kryesonte 4:0 vetëm pas 25 minutave lojë ndaj Shalke 04, mirëpo në fund nuk arriti që të sigurojë fitoren, pasi skuadra nga “Gellzenkirshen” në fund arriti që të barazojë në 4:4.
Obamejang hapi serinë e golave në minutën e 12-të, që më pas një autogol i Stambulit të dyfishojë epërsinë e “milionerëve”. Nuk vonoi shumë dhe Getze në minutën e 20-të shënoi edhe për 3:0, teksa një harkim i Obamejang nga e djathta në minutën e 25-të i mundësoi Guereiros që të shënojë edhe golin e katërt.
Golat e Burgshtaler (61’) dhe Hatrit (65’) hapën takimin, që më pas kartoni i kuq i Obamejang të vështirësojë edhe më shumë gjërat për ekipin vendas.
Një pasiguri e mbrojtjes i dha mundësinë Kalixhiurit që të shkurtonte diferencën në 4:3, ndërsa në minutat shtesë të takimit, pas një goditje nga këndi, mbrojtësi brazilian, Naldo realizoi golin e katërt për Shalken, duke barazuar shifrat në 4:4.
Ky barazim largon edhe më shumë Borusia Dortmundit nga kreu i tabelës së klasifikimit që mbahet nga Bajerni i Munihut me 29 pikë dhe një ndeshje më pak, ndërsa Shalke vazhdon të qëndrojë sipër saj në klasifikimin e Bundesligës pas 13 xhirove të zhvilluara. Shalke ka 24 pikë, 3 më shumë se Dortmundi.
Në ndeshjet tjera, Augsburgu me rezultatin 2:1 mundi Volfsburgun, me po të njëjtin rezultat Frajburgu mundi Majncin, Leverkuseni i Admir Mehmedit realizoi një fitore të madhe në transfertën ndaj Ajntraht Frankfurtit, teksa Lajpcigu me rezultatin 2:0 falë golave të shënuar nga Keita (34’) dhe Bernardo (87’) mundi Verder Bremenin.
Bundesliga, Java XIII |
||
Augsburg | 2 – 1 | Wolfsburg |
Bor. Dortmund | 4 – 4 | Schalke |
E. Frankfurt | 0 – 1 | B. Leverkusen |
Freiburg | 2 – 1 | Mainz |
RB Leipzig | 2 – 0 | W. Bremen |
B. Monchengladbach | 18:30 | Bayern |