Humbje e papritur e Futsal Shkupit në Kratovë

Futsal Shkupi ka pësuar disfatën e parë në parket gjatë këtij edicioni në elitën e futsalit vendor, njofton “infOSport.mk”. Kampionët në fuqi të vendit pësuan sot në transfertën ndaj Kratovës me rezultatin 1:2, edhe pse në parket ishin kundërshtarë  dukshëm më i mirë, duke krijuar shumë raste shënimi.

Skuadra e Kratovës kaloi në epërsi falë golit të Ilievskit, ndërsa golin e barazimit pak para fundit të pjesës së parë e realizoi Bejtulla Jakupi.

Pjesa e dytë solli një ndeshje shumë më dinamike, mirëpo me vetëm një gol të shënuar, kjo edhe për hirë të portierit vendas, Zoki Jakimovski, i cili mbronte sikur të kishte 100 duar. Ai ndalte të gjitha tentativat e “bardhekaltërve” nga Çairi, të cilët u ndëshkuan nga ana e veteranit Bobi Naçkovski, i cili shënoi një gol të bukur për fitoren e Kratovës, 2:1.

Në kuadër të javës së 11-të që në program është pas dy javësh, Futsal Shkupin e pret përballja derbi kundër Juventus Seravës.

Leave a Reply