Kombëtarja e Shqipërisë është ngjitur edhe 9-të vende më lartë në rang listën më te re të publikuar të FIFA-s. “Kuqezinjët” renditet tashmë në vendin e 62-të, me 553 pikë nga 498 që kishte një muaj më parë. Në këtë përmirësim sigurisht që ka kontribuuar edhe fitorja 3-2 që Kombëtarja e drejtuar nga Kristian Panuçi arriti në Antalia, në miqësoren ndaj Turqisë vendase.
Edhe Kosova është ngjitur me 9 pozicione, por kombëtarja e dytë e shqiptarëve mban vendin e largët 174. Sa i përket kreut të renditjes së FIFA-s, ai mbahet nga Gjermania me 1.602 pikë, ndjekur nga Brazili me një distancë të theksuar me vetëm 1483 pikë, ndërsa vendin e fundit të “podiumit” e mban Portugalia kampione në fuqi e Europës me 1358.
Dhjetëshja e parë plotësohet nga Argjentina, Belgjika, Spanja, Polonia, Zvicra, Franca dhe Kili.