Tenistja e famshme ruse, Maria Sharapova, është nën hetim në Indi, pasi akuzohet për mashtrim. Gjithçka lidhet me një agjensi imobiliare, që ka përdorur tenisten si përfaqësuese apo imazh për ndërtimin e një kompleksi apartamentesh që nuk u ndërtua kurrë.
“Homestead Infrastructure” akuzohet se ka përfituar miliona dollarë për një projekt të quajtur “Ballet by Maria Sharapova”.
Projekti në fjalë parashikonte ndërtimin e disa apartamenteve luksoze, ku do të ngrihej edhe një akademi tenisi nga ana e ruses, Maria Sharapova, e cila në vitin 2013-të kishte qenë prezantuar vetë në Indi për lançimin e projektit.
Policia e ka hapur hetimin më 16 nëntor dhe mësohet se shumica e klientëve që vendosën të investonin në këtë projekt, ishte se ai lidhej me emrin e Sharapovës, një emër ky i njohur në botën e tenisit.
Mirëpo pikërisht fama e saj mund ti shkaktojë shumë probleme asaj, pasi nëse shpallet fajtore, Maria Sharapova rrezikon 7 vjet burg.