
Shkupi ka shkëlqyer sot në përballjen e javës së 16-të ndaj Renovës, duke mundur ekipin nga Xhepçishti me rezultatin 4:1, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Ardian Nuhiu ishin më të mirë se kundërshtari, ndërsa një gjë të tillë dëshmuan edhe në fushën e blertë, ku edhe dominuan në tërësi ndeshjen.
Goli i parë erdhi në minutën e 13-të, kur Mbella mjaft mirë shërbeu në zonë Kristijan Stojkoskin, i cili me të djathtën e tij qëlloi rrjetën e Kobetiç.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm 7 minuta më pas Shkupi gjeti edhe golin e dytë, kësaj rradhe me autorë Alen Jasharoski, i cili mjaft mirë përcolli aksionin dhe topin e devijuar nga traverza pas goditjes me kokë të Sedat Berishës, duke e vendosur atë edhe për herë të dytë në rrjetën e Kobetiç, për rezultat 2:0, transmeton “infOSport.mk”.
Vendasit vazhduan dominimin e tyre, ndërsa në minutën e 26-të Jasharovski edhe njëherë tjetër arriti që të shënojë në rrjetën e tetovarëve, mirëpo goli i tij u anulua për shkak pozitës jashtë loje.
Rast të mirë për të shënuar vetëm një minutë më vonë pati edhe Emanuel Mbella, mirëpo goditja e tij u ndal në shtyllë, që më pas të vjen edhe ndëshkimi nga ana e mysafirëve, të cilët në minutën e 30-të arritën që të ngushtojnë rezultatin.
Fatjon Jusufi mjaft mirë morri një top para zonës kundërshtare dhe pasi përfitoi hapësirën e duhur, lëshoi një goditje shumë precize që përfundoi në rrjetën e Zendelit.
Me rezultatin 2:1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë FC Shkupi arriti që të realizojë edhe dy gola të tjerë.
Një super asist me thembër të Kristijan Stojkoskit, një ndër futbollistët më të disponuar te FC Shkupi në takimin e sotshëm, Alen Jasharoski e shfrytëzoi në maksimum në minutën e 59-të, duke ngritur epërsinë e vendasve në 3:1, ndërkohë golin e katërt dhe të fundit në këtë ndeshje për “pëllumbat” nga Çairi e realizoi Ermedin Adem në minutën e 71-të, ndërsa sërish në rolin e asistuesit ishte Kristian Stojkoski.
Falë kësaj fitore FC Shkupi tashmë ka mbikaluar në renditjen tabelare Renovën, skuadër kjo e cila me 17 pikë renditet në pozitën e 7-të, ndërkohë skuadra e trajnerit Ardian Nuhiu, tashmë me 18 pikë mban pozitën e 6-të.