FC Shkupi regjistroi fitore të rëndësishme në xhiron e 16-të të elitës së futbollit vendor, duke mundur Renovën në Çair me rezultat 4:1. Dy herë shënoi Jasharovski dhe nga njeherë Stojkoski dhe Adem, me këtë të fundit që le në rend të dytë arritjen personale, duke vlerësuar më shumë triumfin e ekipit.
“Jemi një ekip që në çdo ndeshje shkojmë për të marrë maksimumin e pikëve. Para sfidës e analizuam mirë kundërshtarin dhe luajtëm të gjithë sipas rregullave të trajnerit. Na duhej një kësi lloj fitore bindëse për ta rritur vetëbesimin në skuadër, pasi që Shkupi nuk e meriton këtë pozitë që e ka për momentin. Shkojmë edhe në ndeshjet e radhës për të dhënë maksimumin që në qetësi ta presim gjysmësezonin e dytë. Sa i përket golit, është ndjenjë e mirë të shënosh, mirëpo më e rëndësishmja është fitorja e ekipit”, tha enkas për infosport, mesfushori i FC Shupit, Ermedin Adem.
Për 27 vjeçarin ky ishte goli i parë që shënon këtë sezon për fanellën e FC Shkupit dhe i katërti në total. “Bardhekaltërit” nga Çairi të mërkurën do të zhvillojnë ndeshjen e anuluar me “Skopjen” në kuadër të xhiros së 15-të. /InfOSport.mk