Struga Trim Lum falë një pjese të dytë të shkëlqyeshme, ka arritur që të shënojë fitore 3:1 ndaj Novacit, duke mbajtur hapin me skuadrat kryesuese në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0:1 në favor të mysafirëve nga Manastiri, të cilët shënuan me anë të Antonio Stojkovskit (29’), teksa pjesa e dytë foli në tërësi për djelmoshat e trajnerit Nexhad Husein, ku në qendër të vëmendjes ishte sulmuesi Blagojçe Glavevski.
Sulmuesi nga Manastiri vetëm pas 8 minutave lojë në pjesën e dytë ndëshkoi ish skuadrën e tij, duke barazuar shifrat në 1:1, teksa po i njëjti futbollist në minutën e 73-të shënoi edhe golin e dytë personal, duke i dhënë avantazhin për herë të parë skuadrës së Struga Trim Lum në këtë ndeshje.
Rezervisti Zija Merxhani me golin e shënuar në minutën e 82-të bëri që disfata e Novacit të jetë e pashmangshme në këtë ndeshje, duke i shkaktuar kështu edhe disfatën e 9-të pas 13 xhirove të zhvilluara kësaj skuadre, që me vetëm 8 pikë të tubuara të renditet në pozitën e fundit të tabelës së klasifikimit.
Në anën tjetër Struga Trim Lum me 23 pikë ndanë pozitën e dytë në renditje me Vëllazërimin e Kërçovës, që ndeshjen e saj të kësaj jave do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme kur në Kërçovë do të mirëpret skuadrën e Labunishtës.