Bashakshehir dhe Adebajor demolojnë Galatasarajin (VIDEO)

Bashakshehir i ka dhënë një shuplakë të fuqishme skuadrës së Galatasarajit në derbi ndeshjen e javës së 12-të në Superligën turke, njofton “infOSport.mk”.

Bashakshehir i udhëhequr nga sulmuesi togolez, Emanuel Adebajor mundi Galatasarajin me rezultatin e thellë 5:1, duke arritur në këtë mënyrë që të barazohen me pikë në renditje.

Adebajor ashtu si edhe në ndeshjen e vitit të kaluar, kur kishte shënuar 3 gola ndaj Galatasarajit në fitoren 4:0, një gjë të tillë bëri edhe sonte, duke i shënuar 3 gola të tjerë dhe duke i dhënë një nokaut të rëndë liderit aktual në elitën e futbollit turk.

Adebajor golin e tij të parë sonte e realizoi në minutën e 41-të, kur ngriti epërsinë e Bashakshehir në 2:0, pas golit të shënuar nga Atamah, ndërkohë dy gola të tjerë realizoi gjatë pjesës së dytë (58’, 76’ pen). Golin e fundit për vendasit e Istanbul Bashakshehir e realizoi Kerim Frei (89’), teksa golin e vetëm dhe të nderit për Galatan në këtë ndeshje e realizoi Gomis (55’).

Me këtë fitore Bashakshehir u barazua me pikë me Galatasarajin në pozitën e parë, që të dyja skuadrat kanë nga 26 pikë, ndërsa pas tyre me 22 pikë renditet Beshiktashi.

 

Leave a Reply