Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë stolisur me medalje ari në kuadër të Kupës së Botës “Grand Prix” që po mbahet në Hagë të Holandës, njofton “infOSport.mk”.
Nora në kategorinë -57 kilogramë, në finalen e madhe mposhti gjermanen, Theresa Stoll, teksa Distria Krasniqi në një luftë që nuk zgjati më shumë se 34 sekonda në kategorinë -52 kg me Ippon mposhti spanjollen, Estrella Lopez.
Ky është një tjetër sukses i madh i xhudos kosovare, pasi vetëm një javë më parë fituan të artën dhe të argjendën në Kampionatin Evropian U-23.
Gjatë ditës së nesërme në kuadër të Kupës së Botës “Grand Prix” në Hagë do të garojë edhe xhudisti tjetër kosovar, Akil Gjakova.
Këto fitore edhe njëherë tjetër paralajmërojnë punën e madhe që po bënë trajneri i palodhshëm Driton Kuka bashkë me xhudistet kosovare, të cilat edhe njëherë tjetër treguan se janë në rrugën e duhur për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.