Edhe pse u paralajmërua pjesëmarrja e KF Shkëndijës në kuadër të turneut “Pavarësia” i cili organizohet tradicionalisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, në kuadër të festave të nëntorit, nga tabori i skuadrës tetovare megjithatë konfirmuan se këtë vit nuk do të marrin pjesë në të njëjtin, shkaku i angazhimeve që kanë në ndeshjet kampionale, njofton “infOSport.mk”.
Një gjë të tillë për portalin tonë konfirmuan nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun: “KF Shkëndija sërish ka qenë e nderuar për të qenë pjesë e Kupës Pavarësia ku ne me kënaqësinë më të madhe kemi marrë pjesë vite me rradhë. Mirëpo kësaj rradhe me keqardhje kemi njoftuar FSHF-në se këtë vit nuk do të mund të jemi pjesë e kësaj feste shkaku i angazhimeve që kemi në kampionatin vendor. Përveç ekipit të parë, Shkëndija është lidere dhe garon për titull edhe në kategoritë e juniorëve dhe kadetëve dhe në kushte të tilla kufizohemi të dërgojmë në Shqipëri qoftë edhe formacion të kombinuar apo ekipin e të rinjëve. Para vetes kemi ndeshje të rëndësishme kampionale në të gjitha kategoritë dhe duke respektuar peshën e këtij turneu festiv që përket me pavarësinë e shtetit shqiptar jemi të detyruar kësaj rradhe të anulojmë pjesëmarrjen. Urojmë turneu të shkojë si gjithmonë në mënyrën më të mirë, ndërsa në të ardhmen Shkëndija sërish të kthehet të luajë në këtë festë kombëtare”.
Pjesëmarrjen e deritanishme në këtë turne tradicionale e kanë konfirmuar KF Tirana, Besa e Pejës, Otranti nga Ulqini i Malit të Zi, ndërsa vendin e Shkëndijës me shumë gjasa do ta zë Liria e Prizrenit nga Superliga e Kosovës.
SHKËNDIJA SËRISH PJESË E KUPËS “PAVARËSIA”