Daniele De Rosi në fushën e blertë shihet si një futbollist shumë agresiv dhe arrogant, mirëpo në realitet është një futbollist shumë zemër mirë dhe fer.
Ai edhe pse me Italinë e tij u eliminua nga Kupa e Botës “Rusi 2018”, gjeti forcë për të treguar anën e tij pozitive pas përfundimit të ndeshjes ndaj Suedisë në “San Siro”.
Mesfushori italian, sipas rrëfimit që ka bërë mbrojtësi suedez, Mikael Lustig, u ngjit në autobusin e skuadrës së Suedisë duke iu kërkuar falje futbollistëve kundërshtarë për vërshëllimat e tifozëve italianë gjatë ekzekutimit të himnit, ndërsa futbollisti tjetër suedez, Pontus Jansson, për “Expressen” tregoi se gjesti i De Rossit i la “gojëhapur” ata.
“Na përgëzoi për fitoren dhe na kërkoi falje edhe për disa ndërhyrje të gabuara të lojtarëve italianë gjatë sfidës së parë”, – tha Jansson.
Italia në këtë ndeshje nuk arriti dot të shënojë gol në rrjetën e suedezëve, të cilët falë fitores minimale 1:0 në ndeshjen e parë në shtëpi siguruan biletën për në Botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi.