Rusia dhe Spanja kanë zhvilluar një super ndeshje që në fund u mbyll me barazimin 3:3, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja në Sankt Petersburg dhuroi shumë aksione dhe raste shënimi para të dyja portave, ndërsa rusët pas një kohë të gjatë treguan potencialin e tyre të vërtetë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese para Botërorit të vitit 2018-të, në të cilin do të jenë nikoqir.
Dy gola në këtë ndeshje për ekipin e Stanislav Çerçesov realizoi Fjodor Smolov, teksa një gol tjetër realizoi Mirançuk. Në anën tjetër golat për Spanjën erdhën nga reparti i mbrojtjes, me autorë Serhio Ramos, i cili ishte i saktë dy herë nga goditjet nga pika e bardhë, teksa golin e parë për “Furinë e Kuqe” e realizoi futbollisti i Barcelonës, Zhordi Alba.
Ndeshja e sontme midis Rusisë dhe Spanjës ishte e para që nga viti 2008, kur këto dy kombëtare ishin takuar dy herë në kuadër të Evropianit në Zvicër dhe Austri. Fillimisht në ndeshjen në grupe, spanjollët kishin shënuar fitore të thellë 4:1, ndërkohë në përballjen gjysmëfinale kishin shënuar fitore me rezultatin 3:0.