Seleksionuesi i Spanjës, Julien Lopotegi do të ketë edhe një opcion gjatë përzgjedhjes së sulmuesve. Gjatë ditës së sotme golashënuesi i Real Sociedadit, Vilian Zhose, i cili në ndeshjen ndaj Vardarit në Shkup në kuadër të ndeshjeve në grupe të Liga Evropa, mbushi rrjetën e “kuqezinjëve” duke shënuar 4 gola në fitoren 6:0, tha se dëshiron të luaj për Spanjën, duke injoruar në këtë mënyrë Brazilin, vendin ku ka lindur.
Pas një jave Vilian Zhose do të mbush 26-vjet, ndërsa duke pasur parasysh se ai nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje me Kombëtaren e Brazilit, i njëjti pa asnjë problem do të mund të veshë fanellën e Spanjës.
Ai shumë shpejt pritet të pajiset me pasaportë spanjolle, pasi edhe i plotëson kushtet e duhura.
Braziliani në Spanjë arriti gjatë vitit 2014-të, kur Reali i Madridit e transferoi atë nga skuadra e Deportivo Maldonados. Ai në 16 ndeshje realizoi 4 gola me ekipin e dytë të Realit, me ç’rast Ançeloti në atë kohë i bëri ftesë edhe në ekipin e parë, duke e thirrur atë për ndeshjen kundër Selta Vigos, ndaj së cilës skuadër luajti vetëm 22 minuta.
Ai ishte lënë i lirë nga Reali, ndërsa vazhdoi të qëndroj në Spanjë, duke kaluar te skuadra e Zaragozës, dhe më pas edhe te Las Palmasi, nga e cila skuadër verën e vitit 2016 për një shumë prej 6 milion euro kaloi në rradhët e Real Sociedadit.
Investimi i skuadrës baske u tregua më se i qëlluar, pasi braziliani në sezonin e tij të parë realizoi 14 gola dhe 4 asistime, ndërsa gjatë këtij sezoni në 15 ndeshje ka shënuar 8 gola.