Përfaqësuesja e Maqedonisë U21 assesi të rimarë veten. Të besuarit e trajnerit Bllagoja Milevski në ndeshjen e tyre të katërt në kuadër të grupit 7 për kualifikim në Evropianin e vitit 2019-të që do të mbahet në Itali, pësuan disfatë nga Austria me rezultatin 4:0.
Ishte Maqedonia ajo e cila e para u kanos në këtë ndeshje me anë të Çeshmexhiev, mirëpo goditjen e tij nga gjuajtja e lirë e ndali portieri Gartler.
Mysafirët në rastin e tyre të parë më konkret arritën që të kalojnë në epërsi, kur Jakupoviç pasi përfitoi hapësirën e duhur me një goditje të fortë shënoi në rrjetën e Jankov. Maqedonia tentoi të kundërpërgjigjet, por kot, pasi ishin mysafirët ata të cilët në minutën e 26-të përmes Honsak dyfishuan epërsinë e tyre.
Dominimi i austriakëve në minutën e 36-të solli edhe golin e tyre të tretë, kësaj rradhe me autorë Laimer, teksa ai që hapi serinë e golave, edhe e mbylli me golin e dytë personal të shënuar në minutën e 54-të.
Pasoi një periudhë e mirë e të përzgjedhurve të trajnerit Milevski, të cilët në minutën e 78-të u kanosën seriozisht me anë të Abaz, teksa rastin më të mirë për të shënuar golin e nderit për Maqedoninë në këtë përballje e kishte Besar Iseni, mirëpo goditjen e tij nga pika e bardhë në minutën e 84-të e ndali portieri mysafir, Gartler.
Përveç Isenit, pjesë e takimit ndaj Austrisë nga futbollistët shqiptarë ishte edhe Remzifaik Selmani, i cili u zëvendësua në fillimin e pjesës së dytë nga ana e Stojanovskit, teksa në minutën e 68-të në lojë u inkuadrua edhe Nehar Sadiki.
Vlen të ceket se shpresat e Maqedonisë 10 minutat e fundit të këtij takimi i zhvilluan me 10 futbollistë në fushë, pas përjashtimit të Kostadinov, i cili u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë.
Maqedonia pas 4 ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të grupit 7 ka tubuar vetëm 3 pikë, dhe aktualisht mban pozitën e fundit në tabelë, teksa Serbia është e pagabueshme në këtë grup dhe me 15 pikë të plota kryeson renditjen para Rusisë që ka 5 pikë më pak.
Ndeshjen e rradhës që në program është me datë 23 mars të vitit 2018-të, Maqedonia U21 do ta zhvillojë pikërisht ndaj Rusisë këtu në Shkup.