Ikona e futbollit italian, Xhanluixhi Bufon ka shpërthyer në lot pas eliminimit të Italisë nga ndeshjet e “play-off-it” për në Botërorin “Rusi 2018”.
Ai menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së zhvilluar ndaj Suedisë që u mbyll me barazim pa gola me lot në sy, deklaroi: “Më vjen keq! Më vjen shumë keq! Jo për veten, por për gjithë popullin. Është një disfatë e madhe. Nuk doja që ta mbyllja në këtë mënyrë me Italinë në ndeshjet zyrtare. Na mungoi energjia dhe kthjelltësia për të shënuar. Suedia luajti si në ndeshjen e parë, duke u mbrojtur mirë”.
Megjithatë sipas Bufon Italia ka një të ardhme të mirë edhe përkundër kësaj disfate shumë të rëndë, duke potencuar se tashmë portën e le në duart e Xhanluixhi Donarumas, gjithashtu një portier me një të ardhme shumë të ndritur.
“Kemi krenari, kemi forcë. Jemi kokëfortë dhe andaj them se kemi të ardhme! Nuk mund të themi se Italia nuk ka të ardhme pas kësaj disfate, pasi unë po lë një ekip, ku ka shumë futbollistë të talentuar. Po ia lë vendin edhe portierëve si Donnarumma, një portier me një të ardhme të ndritur”, – tha Bufon në deklaratën e tij për mediat italiane.