Burhan Aliji ka vazhduar me paraqitjet e tij të mira në petkun e skuadrës shkupjane të EuroMilkut, duke shënuar sërish dhe duke ndihmuar këtë skuadër për të arritur edhe fitoren e 6-të këtë edicion pas 12 xhirove të kaluara, njofton “infOSport.mk”.
Burhan Aliji realizoi golin e parë në fitoren 3:1 të EuroMilkut ndaj Teteksit, kur në minutën e 11-të arriti që të mposhtë portierin Pançevski. Për mesfushorin kumanovar ishte ky goli i 5-të sezonal, ku ka regjistruar edhe 5 asiste për gol. Darko Todorovski në minutën e 27-të ngriti epërsinë e skuadrës së EuroMilkut në 2:0, ndërsa po i njëjti futbollist në minutën e 50-të realizoi edhe golin e tretë në rrjetën e skuadrës tetovare.
Gjithçka që mundën të bëjnë mysafirët në këtë ndeshje, ishte goli i nderit i shënuar nga ana e Filip Jovanovskit në minutën e 65-të, kur edhe vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, EuroMilku 3, Teteksi 1.
Me këtë fitore EuroMilku vazhdon të ndjek tre skuadrat e para në renditje, duke u pozicionuar në vendin e katërt me 19 pikë, 4 më pak se lideri aktual Vëllazërimi, ndërkohë Teteksi me 13 pikë të tubuara renditet në vendin e 8-të.