Bardhezinjtë” e Juventus Seravës assesi të shohin dritë të bardhë në edicionin e sivjetshëm të elitës së futsalit në vend, pasi edhe pas 7 xhirove ka vazhduar seria e tyre e zezë, njofton “infOSport.mk”. Ata në 6 ndeshje sa kanë zhvilluar këtë edicion kanë pësuar po aq disfata, përfshirë këtu edhe disfatën e mbrëmshme ndaj Kratovës në transfertë, 7:6.
Ishte një pjesë e parë shumë e dobët e lojtarëve “bardhezinjë” që në fund ju kushtoi atyre me disfatë nga kjo transfertë, pasi në pjesën e dytë ata shkëlqyen, kjo falë edhe super paraqitjes së lojtarit të talentuar Mervan Osmani i cili shënoi 4 gola.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 5:1 për Kratovën, ku golin e vetëm e realizoi Mervan Osmani, i cili me dy gola të shpejtë gjatë pjesës së dytë ngushtoi epërsinë e vendasve në 5:3. Pasoi edhe një gol tjetër i shënuar nga ana e Enes Jusufit për rezultat 5:4, mirëpo më pas u vërejt një lodhje tek lojtarët shkupjan, të cilët pësuan dy gola rresht për rezultat 7:4, transmeton “infOSport.mk”.
Megjithatë edhe përkundër kësaj epërsie, lojtarët e rinj të Juventus Seravës gjetën forcë për të shënuar edhe dy gola të tjerë me anë të Mervan Osmanit dhe Samir Veliut, gola këto që nuk mjaftuan që Juventus Serava të merr pikët e para në sezonin e ri.
Kjo skuadër edhe pas 7 xhirove mbetet në kuotën e 0 pikëve, ndërsa rastin e mirë do të kenë javën që vjen kur si mysafir do të përballen me Mal Ajaksin, një skuadër tjetër që nuk po shkëlqen këtë edicion në elitën e futsalit vendor.