Derbi i javës së 7-të në elitën e futsalit vendor midis Velesit dhe Shkupit i zhvilluar në palestrën “Gemixhi” në Veles nuk priti fundin e saj, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja mes dy skuadrave pretendente për titullin e kampionit u ndërpre në minutën e 31-të, kur njëri prej lojtarëve të ekipit vendas e ofendoi në bazë nacionale njërin prej përfaqësuesëve zyrtarë të Futsal Shkupit, gjë kjo që irituar tej mase tifozët shkupjan, ku njëri prej tyre arriti që të futet brenda në parket. Mjaftoi një gjë e këtillë që arbitrat e takimit të ndërpresin këtë takim, i cili që nga fillimi u zhvillua në një atmosferë të tensionuar.
Në momentet e ndërprerjes së ndeshjes rezultati ishte 3:2 në favor të skuadrës së Velesit, drejtuesit e së cilës skuadër u treguan shumë të dobët në organizim.
Edhe pse bëhej fjalë për një ndeshje derbi dhe me rrezikshmëri të lartë, në palestër sipas asaj që njoftojnë nga klubi shkupjan prezent ishin vetëm dy polic, ndërsa gjithashtu mungonin edhe persona të rendit, të cilët ishin në numër shumë të vogël.
Tani fjalën e ka Komisioni i garave pranë FFM-së, që me shumë gjasa epilogun e këtij takimi do ta vendos në tavolinë.