Trajneri i Partizanit, Miroslav Djukiç pas përfundimit të ndeshjes ka folur për mikrofonin e “SuperSport”, duke u shprehur i lumtur për fitoren 2:0 të skuadrës së tij. Sipas tij ndeshjen e sontme e vendosi goli i kapitenit Dushan Toshiç, ndërsa shpreson se si nikoqir, kanë arritur që të mirëpresin në mënyrën më të mirë futbollistët e Skënderbeut.
“E dinim se këtë ndeshje do ta vendosin detaje shumë të vogla, ashtu siç ishte edhe goditja e Toshiç. Pas këtij goli luajtëm më të tërhequr pasi ishim në avantazh pas pjesës së parë. Skënderbeu është një kundërshtar i vështirë dhe ndaj tyre do ta kenë të gjithë të vështirë” – u shpreh Miroslav Djukiç, i cili në vijim të intervistës tha se shqiptarët asnjëherë nuk i konsideron si armiq, por si miq të vërtetë dhe se Skënderbeu në fund për në Shqipëri do të kthehet me mbresa pozitive nga mikpritja që ua kanë bërë: “Jam shumë i kënaqur, por do të isha edhe më i kënaqur nëse Skënderbeu do të kthehet me mbresa pozitive nga mikpritja. Ne shqiptarët nuk i konsiderojmë armiq, por miq” – u shpreh Djukiç në intervistën për “SuperSport”.