Në prag të ndeshjes së Liga Evropa midis Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit po ndërmerr masat e zgjeruara të sigurisë.
Sipas informatave të “Alo.rs”, para ndeshjes që do të zhvillohet sot në Beograd, po kryhen kontrolle të intensifikuara në pikat kufitare me Serbinë, por edhe në vende të tjera, me qëllim që të ndalohet ndonjë incident i qëllimshëm që do të çonte edhe deri te ndërprerja e ndeshjes.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar importimit të sendeve, siç ishte rasti i dronit, i cili herën e fundit, gjatë vitit 2014-të shkaktoi incident dhe ndërprerje të ndeshjes, Serbi – Shqipëri.
Në atë ndeshje të 14 tetorit në stadiumin e Partizanit u paraqit një dron me hartën e Shqipërisë së Madhe ku shkruhej “’Autochthonous”, ndërsa pjesë e saj ishin edhe dy figurat më të çmuara shqiptare, Ismail Qemajli dhe Isa Boletinin, shkruan “infOSport.mk”.
Një veprim i tillë solli shumë tensione në tribunat e stadiumit “Humsk” ku atë natë po zhvillohej ndeshja eliminatore midis Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për Evropianin e vitit 2016-të, e cila pas gjithë asaj situate të krijuar u ndërpre dhe më pas në tavolinë i takoi Kombëtares shqiptare.
Pikërisht duke pasur frikë nga një epizodi i këtillë, anëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe ata të Sigurisë dhe Informacionit, në pikat kufitare do të vijojnë të kontrollojnë gjithnjë e më shumë të gjithë të dyshuarit që do të hyjnë në Beograd.
Ndeshja e sotme midis Partizanit dhe Skënderbeut starton në ora 19:00, ndërkohë rikujtojmë që ndeshja e parë e zhvilluar mes këtyre dy skuadrave në “Elbasan Arena” u mbyll me barazim pa gola.