Liga e Parë Futbollistike e Maqedonisë këtë sezon ka nisur me dominimin e skuadrës së Shkëndijës, që në 13 javët e para ka arkëtuar 31 pikë, duke dalë fitues në 10 ndeshje, një ndeshje e kishte mbyllur me barazim, teksa kishte pësuar dy disfata.
Skuadra e drejtuar nga Qatip Osmani krahasuar me sezonin e kaluar ka 7 pikë më shumë, pasi “kuqezinjtë” në këtë fazë të sezonit 2016/2017 kishin tubuar vetëm 24 pikë, apo 7 fitore, 3 barazime dhe 3 disfata. Megjithatë vetëm një sezon më parë, 2015/2016 ata pas 13 xhirove të para kishin tubuar plotë 32 pikë, duke regjistruar 10 fitore, dy barazime dhe një disfatë.
Megjithatë edhe përkundër këtyre të dhënave Shkëndija në fund të sezonit nuk arriti që të dalë kampion, njëjtë sikurse edhe një vit më parë kur kishte humbur garën që më herët ndaj rivalit të përbetuar Vardarit.
Megjithatë si duket ky vit është më i mbarë për skuadrën tetovare, kjo edhe për faktin se Vardari ndodhet në një krizë të thellë të rezultateve, ku në 11 xhiro të zhvilluara ka arritur 6 fitore, 2 barazime dhe 3 disfata.
Skuadra shkupjane për shkak ndeshjeve në Liga Evropa ka dy ndeshje më pak, atë kundër Rrabotniçkit dhe Akademia Pandev, dy ndeshje mjaft të vështira, duke pasur parasysh se edhe “romantikët”, por edhe skuadra surprizë e këtij edicioni nga Strumica ndodhen në formë të mirë dhe po arrijnë rezultate pozitive.
Mbetet të shihet nëse Vardari do të marrë edhe ndonjë pikë nga këto dy ndeshje të mbetura dhe nëse do të ngushtojë diferencën në pikë ndaj Shkëndijës që aktualisht ka 11 pikë më shumë se kampionët në fuqi.
Vallë mjafton kjo diferencë e krijuar e Shkëndijës që më në fund të rikthejnë titullin e kampionit në Tetovë pas plotë 7viteve?
13 xhiro 36 xhiro
Sezoni 2016/2017 Shkëndija 7 fitore, 3 barazime, 3 disfatë 24 pikë 70 pikë |
Sezoni 2016/2017 Vardari 9 fitore, 4 barazime, 0 disfata 31 pikë 83 pikë |
13 xhiro 36 xhiro
Sezoni 2015/2016 Shkëndija 10 fitore, 2 barazime, 1 disfata 32 pikë 63 pikë |
Sezoni 2015/2016 Vardari 10 fitore, 3 barazime, 0 disfata 33 pikë 65 pikë |