Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Jahmir Hykaj, i cili po luan me skuadrën amerikane San Hose, është përzgjedhur në listën e lojtarëve kandidat për “Golin e Vitit 2017” por edhe në listën e çmimit “MLS Fair Play Avard”.
Përsa i përket çmimit Fair Play, ai është në garë me Damarcus Beasley të Houston Dynamo dhe Dave Romney të LA Galaxy. Finalistët janë përzgjedhur nga MLS në bazë të kritereve objektive si faullet e shkaktuar, kartonët e marrë dhe minutat e luajtura gjatë këtij viti.
Një peshë të madhe në vendim do të ketë edhe sjellja e tre lojtarëve në fushën e lojës. Hyka është aktivizuar në 30 nga 34 ndeshjet zyrtare të sezonit të rregullt me 1871 minuta ku numëron vetëm 6 faulle.
Asnjëherë gjatë këtij sezoni, mesfushori shqiptar nuk ka shkaktuar më shumë se një faull për ndeshje, ndërsa gjatë gjithë vitit nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton të verdhë apo të kuq. Fituesi do të shpallet në datën 7 nëntor në një ceremoni të veçantë. Përsa i përket kategorisë së “Golit të Vitit”, bëhet fjalë për realizimin e 20 majit kundër Dallasit. Votimi do të jetë i hapur deri në datën 14 nëntor. Hyka e mbylli sezonin aktual me 3 gola dhe 5 asiste.