E diela rezultoi të jetë e kobshme për Realin e Madridit. “Mbretërit” në kuadër të javës së 10-të u mposhtën në transfertën në Katalunjë nga skuadra e Gironas, duke mbetur në këtë mënyrë 8 pikë mbrapa Barcelonës.
Megjithatë si duket nuk mjaftojnë vetëm këto telashe për Realin, pasi tani edhe Kristiano Ronaldo rrezikon dënimin.
Portugezi e ka goditur në fytyrë mbrojtësin e Gironas, Pere Pons, gjatë një ekzekutimi nga këndi.
Lidhur me gjestin e portugezit ka patur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa mbetet të shihet ditëve në vijim nëse do të pasojë edhe një dënim tjetër për yllin e “madrilenëve”.
Portugezi tashmë ka vuajtur pesë ndeshje në fillim të këtij sezoni pas gjestit që bëri duke shtyrë arbitrin në ndeshjen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, dënim ai që duket se e ka çorientuar krejtësisht portugezin, pasi pas 10 xhirove të zhvilluara në La Liga, gjashtë në të cilat ka luajtur, besoni apo jo, ai ka shënuar vetëm një gol, duke ngecur me plotë 11 gola ndaj rivalit të tij të madh, Lionel Messit, i cili ka të shënuar 12 gola.