Sulmuesi me pasaportë franceze i FC Shkupit, Emanuel Mbella me shumë gjasa karrierën e tij do ta vazhdojë në Superligën e Kosovës, njofton “gazetaolle”, përcjellë “infOSport.mk”.
Është Gjilani ekipi që dëshiron të bëjë për vetë sulmuesin 25-vjeçar me origjinë nga Kameruni, i cili pjesë e FC Shkupit është që nga janari i vitit 2017-të.
Ai te skuadra nga Çairi erdhi nga rradhët e skuadrës së Bylisit nga kampionati shqiptarë, ndërsa si duket sërish dëshiron që të jetë pjesë e një kampionati tjetër, ku flitet shqip, tashmë atij kosovar.
Mbella zotëron mirë gjuhën shqipe, ndërsa këtë më së miri e ka demonstruar duke qenë pjesë edhe e emisioneve televizive shqiptare në vendin tonë.
Emanuel Mbella gjatë këtij sezoni ka zhvilluar 11 ndeshje me fanellën e FC Shkupit, ndërsa në total 23 ndeshje zyrtare, ku edhe ka shënuar 3 gola.
Përveç FC Shkupit dhe Bylisit, Mbella gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Itali me Monzan dhe Olbia, në Rumani te Gloria, Pandurii Targu Jiu, Botosani dhe FC Clinceni, ndërsa ishte edhe pjesë e skuadrës gjermane të SVN Zweibrücken që garonte në ligat rajonale.
Ai te Gjilani pritet të zëvendësojë sulmuesin e lënduar Fatih Karahoda, i cili do të mungojë edhe më tej nga fushat e blerta, ndërsa përveç tij në listën e futbollistëve tëlënduar te skuadra gjilanase mbetet të jenë edhe Diar dhe Zgjim Mustafa.