Janë shitur të gjitha biletat për supersfidën e javës së 11-të në “Serie A” midis Milanit dhe Juventusit. Këtë ndeshje të shumpëritur mësohet gjithashtu se në gjithë Botën do e ndjekin rreth 730 milionë njerëz përmes ekranit televiziv.
Dy nga klubet më të mëdha të futbollit italian dhe atij evropian takohen sot në orën 18:00 në “San Siro”, në atë që është gjithmonë një nga ndeshjet më të paparashikuara të sezonit.
Faqja zyrtare e “milanezëve” thotë se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen, me 78,328 tifozë që do të ndjekin derbin direkt nga shkallët e stadiumit.
Përveç kësaj, loja do të shfaqet në mbi 200 vende anembanë botës, me një audiencë të pritur prej rreth 730 milionë njerëzish.
Prezent në këtë super derbi pritet të jenë edhe një mori legjendash të futbollit italian, si Franko Barezi, Filipo Galli, Daniele Masaro, Paolo Maldini, Pietro Vierhovud, Masimo Odo, Mauro Tasoti, Kristian Vieri, Angelo Karbone, Marek Jankulovski dhe Xhuzeoe Favalli.
Milan nuk pritet të ketë ndryshime në formacion nga fitorja e fundit 1:4 me Kievon në transfertë, e vetmja mungesë e madhe e “kuqezinjve” do të jetë ish-fubollisti i Juves, Leo Bonuçi. Në krahun tjetër Allegri, pritet të hedh në fushë që nga minuta e parë formacionin e tij më të mirë, që sërish do të jetë shumë sulmues.