Paris Sen Zhermen vazhdon me fitore dhe ngrit edhe më shumë diferencën me pikë në elitën franceze, pasi mundi në “Park de Princ” Nicen me rezultat 3:0. Në ndeshjen hapëse të xhiros së 11-të të kampionatit më të fortë në Francë, Edison Kavani nuk la që të biente në sy edhe aq shumë mungesa e brazilianit Nejmar, duke realizuar 2 golat e parë të sfidës, ndërsa autogoli i Dantes vulosi tri pikëshin për skuadrën e Unai Emerit.
PSZH me këtë fitore ngjitet në kuotën e 29 pikëve, 7 më shumë se Monako që ndodhet në vendin e dytë dhe që luan të shtunën transfertën ndaj Bordos. Ndërkohë Kavani me dy golëshin e realizuar sonte, arrinë afër Falkaos me dy gola diferencë më pak, me urugujanin që rrumbullakson 11 finalizime në këtë sezon.