Mbrojtja e Vardarit pa Visar Musliun ka rezultuar të jetë një kafshatë e lehtë për skuadrat kundërshtare, njofton “infOSport.mk”.
Pa Musliun në vijën e fundit të mbrojtjes, skuadra kampione e Maqedonisë në 4 ndeshje, përfshirë këtu edhe atë të Liga Evropa kundër Real Sociedadit ka pranuar plotë 12 gola, apo nga 3 gola për ndeshje.
Musliu u lëndua në ndeshjen e 09 tetorit kundër Lihteshtejnit në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Rusi 2018”. Ai në atë ndeshje të zhvilluar në Strumicë kishte thyer gishtin tregues të dorës së majtë, ndërsa edhe pse fillimisht u mendua se ai do të pauzojë vetëm për një javë, ashtu nuk ndodhi, pasi rikuperimi i tij zgjati më shumë kohë.
Ai ndeshjen e tij të fundit me Vardarin e zhvilloi me Shkupin me 01 tetor, ndërsa mungoi në ndeshjet e rradhës kundër Shkëndijës, Real Sociedadit, Pobedës dhe Rabotniçkit. Në këto ndeshje Vardari regjistroi vetëm një fitore dhe tre disfata, duke humbur edhe pozitën e dytë në renditje. Rikujtojmë Musliu falë paraqitjeve të mira me shpresat e vendit, u bë pjesë e formacionit bazë te përfaqësuesja e Maqedonisë, duke luajtur si titullar në ndeshjet e fundit kundër Izraelit, Shqipërisë dhe Lihtenshtejnit, ku “verdhekuqtë” regjistruan dy fitore dhe një barazim, duke pranuar vetëm një gol, atë kundër Shqipërisë në Strumicë, transmeton “infOSport.mk”.
Ai bashkë me Dare Vellkovskin, shokun e skuadrës së tij te Vardari përbënin dyshen mbrojtëse të përfaqësueses së Maqedonisë, ndërsa mungesa e tyre për shkak lëndimeve, ndikoi shumë negativisht te skuadra e Vardarit, që në dy ndeshjet e fundit kampionale ka pësuar dy disfata.
Rikthimi i Visar Musliut në petkun e Vardarit pritet të ndodhë në fundjavë kur kampionët në fuqi në kuadër të javës së 13-të do të përballen me Sileksin në Kratovë.