Renova demolon Skopjen, Sileksi përmbys Pelisterin në Manastir

Renova më në fund ka treguar fytyrën e saj të vërtetë, duke shënuar fitoren më të thellë të këtij sezoni në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Vlatko Kostov në Tetovë shpartalluan Skopjen, edhe atë vetëm brenda 30 minutave të fundit të takimit, kur shënuan plotë 5 gola.

Pjesa e dytë rezultoi të jetë fantastike për “gjipspunuesit”, të cilët thjeshtë ishin të pandalshëm, ndërsa tek mysafirët ndikoi edhe largimi i Gjoko Aleksovskit në minutën e 33-të, kur për shkak të kartonit të dytë të verdhë ishte i detyruar që të braktis fushën.

Gjithçka që bënë mysafirët nga Autokomanda e Shkupit, ishte goli i nderit i realizuar një minutë para fundit të takimit me anë të Darko Gjurçinovskit.

Ndryshe autorë të golave në këtë përballje për Renovën ishin Mexhit Neziri (60’), Stefan Kostov (68’), Lukas Meireles Markos (70’) dhe Lavdrim Skenderi, i cili realizoi në minutat 77 dhe 85. Falë kësaj fitore Renova tashmë me 14 pikë renditet në pozitën e 6-të.

Pjesa e dytë rezultoi me fat edhe për Sileksin, skuadër kjo e cila edhe përkundër disavantazhit që kishte gjatë pjesës së parë ndaj Pelisterit në Manastir në fund arriti që të marrë tre pikët e plota. Lukas Kardoso Fereira vetëm pas 5 minutave lojë kaloi në epërsi Pelisterin, ndërkohë autorë të golave për Sileksin në këtë ndeshje ishin Boban Georgiev (67’) dhe Filip Timov (76’).

Me këtë fitore Sileksi ruan pozitën e katërt, tashmë me 18 pikë, vetëm një pikë më pak se Vardari i vendit të tretë, ndërkohë Pelisteri me 12 pikë renditet në pozitën e 8-të.


SHIH RENDITJEN TABELARE PAS 12 XHIROVE NË LPFM  


 

Leave a Reply