Qatip Osmani ka mbetur i pakënaqur me qasjen e futbollistëve të tij në fillim të ndeshjes, ndërsa gjithashtu edhe me arbitrat e takimit të sotshëm në Strumicë, ku skuadra e tij pësoi disfatë nga Akademia Pandev. Ishte kjo disfata e dytë në tre ndeshjet e para të rrethit të dytë të garave në elitën e futbollit vendor për skuadrën e Shkëndijës, që megjithatë vazhdon të kryesojë renditjen.
“Na kushtoi shumë hyrja në fillim të ndeshjes, ku deri sa e morrën golin nuk luajtëm ashtu si duheshe të luajmë. Lojën e stabilizuam vetëm pas golit, kur edhe morrëm inciativën që rezultoi me dy gola të barazimit. Dua të theksoj se në ndeshje të këtilla Federata e Futbollit duhet të delegojë arbitra kualitativ, të cilët ndoshta nuk ndikuan direkt në rezultat, mirëpo në lojë apo mos dija e atyre bëri të veten që na futi në një nervoz, të cilën nuk e dëshironim, veçanërsht në këto ndeshje” – tha Qatip Osmani pas përfundimit të ndeshjes në Strumicë ndaj Akademia Pandev.
Skuadra kryesuese e tabelës së klasifikimit pësoi disfatë 3:2 nga Akademia Pandev, që vazhdon të jetë befasia më e këndshme e këtij edicioni në elitën e futbollit vendor. Ata me 21 pikë renditen në pozitën e dytë dhe kanë 7 pikë më pak se Shkëndija, mirëpo duhet theksuar se kanë edhe një ndeshje më pak se skuadra tetovare.