Bilali: Me shpirt dhe zemër do luajmë për fitore

Amir Bilali beson që Rabotniçki ka forcë të përsëris paraqitjet e dy ndeshjeve të mëparshme edhe ndaj Vardarit, rivalit lokal ndaj të cilëve nesër do të zhvillojë ndeshjen e parë të këtij sezoni, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja e nesërme i takon javës së tretë të prapambetur, në të cilën Vardari futet pas asaj disfate të papritur në transfertë ndaj Pobedës së Prilepit, ndërkohë Rabotniçki vjen pas fitores si vendas ndaj Pelisterit.

“Është një derbi ndeshje kundër Vardarit dhe çdo derbi ka vlerën e vetë. Ne do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumin. Vijmë pas dy ndeshjeve të fundit mjaft të mira. Ndaj Shkëndijës fati nuk ishte në anën tonë dhe atë ndeshje e humbëm përmes penaltive, edhe pse luajtëm shumë mirë. Loja jonë e mirë dhe progresi që kemi në skuadër na u pagua në ndeshjen ndaj Pelisterit, kur edhe fituam ndeshjen. Në skuadër ekziston një klimë shumë e mirë, jemi duke punuar mjaft mirë me trajneri e ri dhe besoj se nëse i zbatojmë urdhërat e tij do ja dalim të marrim rezultat pozitiv. Premtoj se gjithë futbollistët me shpirt dhe zemër do të dalim në fushë për fitore” – tha në një prononcim për “infOSport.mk” Amir Bilali.

Ndeshja ndërmjet Rrabotniçkit dhe Vardarit zhvillohet gjatë ditës së nesërme në arenën “Filipi i Dytë” me fillim në ora 14:30.

Leave a Reply