Agjenti i mirënjohur Mino Raiola dhe sulmuesi suedez, Zalatan Ibrahimoviç, janë një dyshe e pandashme. Ata ka një kohë të gjatë që punojnë bashkë, ndërsa si duket bashkë do të jenë edhe për një kohë bukur të mirë.
Ka qenë vetë agjenti i sulmuesit që ka pohuar një gjë të tillë me deklaratën e tij të fundit, teksa është shprehur se sulmuesi suedez do të luajë edhe për disa vite të tjera në futbollin Botëror.
“Ai do të luajë akoma për 5 ose 6 vite. Nuk do ta lë të heqë dorë kaq shpejt, kam punuar me të për shumë vjet, ashtu që tani është radha e tij të punojë për mua. Fëmijët e mi janë rritur dhe kanë nevojë për para. Kemi rëndë dakord që për 5 vitet e ardhshme të punojë vetëm për mua. Do të jetë gjithmonë në jetën time, si futbollist, sipërmarrës, drejtues sportiv ose trajner, nuk ka rëndësi. Shpresoj që një ditë të bëhet trajner, sepse jam kurioz të shoh futbollistët tek i thonë Zlatanit që nuk e kuptojnë se për çfarë po flet. Do të doja të kisha telekamera të fshehta për të parë reagimin e tij kur ndonjë lojtar t’i thotë se është më i mirë se ai”, – ka thënë Raiola.
Ibrahimoviç po rikuperohet nga lëndimi i marë gjatë muajit prill në ndeshjen e Liga Evropa kundër Anderlehtit, kur dëmtoi ligamentet e pasme të gjurit.
Pas atij lëndimi u duk se karriera e tij mori fund, por riaftësimi në kohë rekord e bindi Hoze Murinjon që t’i rinovojë kontratën.
Sipas asaj që raportojnë mediat angleze rikthimi i Ibrahimoviç në fushat e blerta mund të ndodh që gjatë muajit nëntor.