Më 02 nëntor në Beograd Partizani do të mirëpret Skënderbeun në kuadër të ndeshjeve në grupe të Liga Evropa. Këtë ndeshje fqinjët tanë verior po e presin me shumë pompozitet, ndërsa për të grumbulluar sa më shumë tifoz në stadiumin “Humsk”, drejtuesit e skuadrës “bardh e zi” nga kryeqendra serbe kanë vendosur një mënyrë tjetër të shitjes së biletave.
Për të joshur sa më shumë tifoz, ata kanë vendosur që rolin e shitësit ta luajnë vetë futbollistët e Partizanit, të cilët që nesër do të jenë prezent në pjesën jugore të hyrjes së stadiumit, pranë disa fushave të tenisit ku edhe do të shesin biletat e para për ndeshjen me Skëndërbeun, transmeton “infOSport.mk”.
Pjesë e kësaj nisme do të jetë kapiteni Sasha Iliç së bashku edhe me disa futbollistë tjerë, të cilët gjithashtu do të nënshkruajnë autografe dhe do të bëjnë fotografi me tifozët.
Ky takim mes futbollistëve të Partizanit dhe tifozëve të kësaj skuadre do të ndodh nga ora 13:00 deri në 13:30, ndërkohë që çmimi i biletave për ndeshjen ndaj skuadrës korçare sipas asaj që raportojnë mediat serbe do të jetë nga 9-17 euro.