Ish sulmuesi i Juventusit, Simone Zaza po shkëlqen në këtë fillim sezoni me fanellën e Valencias në elitën e futbollit spanjoll. Sulmuesi i përkohshëm i Kombëtares italiane është rikthyer në formën e tij më të mirë, duke u bërë ndër protagonstët kryesor te skuadra nga Mestalja në ndeshjet e La Liga.
Zaza mbrëmë realizoi golin e dytë në fitoren 4:0 të Valencias ndaj Seviljës në ndeshjen e javës së 9-të, duke arritur në këtë mënyrë në shifrën e 8 golave të shënuar në 9 përballje gjatë këtij edicioni.
Ai falë golit të shënuar në ndeshjen e mbrëmshme hyri në historinë e Valencias duke barazuar rekordin e Mario Kempes, i cili në sezonin 1977 u bë futbollisti i parë i huaj, që shënon në 5 ndeshje radhazi.
Gjithashtu Simone Zaza ka thyer edhe një rekord personal, pasi për herë të parë në karrierën e tij ka shënuar në pesë ndeshje radhazi.
Me formën që po kalon Zaza, ai ka mundësinë që të thyej këtë rekord në sfidën e radhës që Valencia do ta zhvillojë në transfertë përballë skuadrës së Alaves që drejtohet nga ish tekniku “kuq e zi”, Xhiani De Biasi.