Në prag të sfidës me Shkëndijën në transfertë, nga skuadra e FC Shkupit për këtë takim shumë të vlefshëm për xhiron e 11-të në elitën e futbollit vendor, ka folur numri një i stafit teknik të “bardhekaltërve”, Ardian Nuhiu, i cili vlerëson ekipin “kuqezi”, ndërsa shprehet se skuadra e tij do të jep më të mirën për të nxjerrë diçka pozitive nga kjo përballje.
“Nuk ka nevojë të flas shumë për ekipin kundërshtar në ndeshjen e të dielës, pasi që me ndeshjet që ka treguar deri më tani, bëhet fjalë për skuadrën më të mirë në kampionat, me shumë cilësi që ka brenda grupit. Por gjithsesi ne kemi analizuar anët pozitive dhe negative të kundërshtarit dhe mendoj se do të arrijmë të përgatisim një kundër lojë ndaj tyre. Sido që të jetë, ne do të udhëtojmë për në Tetovë që me të gjitha forcat të arrijmë të bëjmë befasi dhe të nxjerrim më të mirën që kemi mundësi”, ka thënë Ardian Nuhiu.
Në takimin e fundit FC Shkupi pësoi disfatë nga Akademija Pandevi në Strumicë.