Struga Trim Lum është kthyer me një pikë nga transferta në Kërçovë përballë Zajazit, njofton “infOSport.mk”. Ishin vendasit ata të cilët avansuan të parët në këtë ndeshje me anë të Ilir Xhemailit në minutën e 34-të, ndërkohë deri tek barazimi Struga Trim Lum arriti vetëm në minutat e fundit të takimit, kur Arben Tafa arriti që të shënojë golin e barazimit.
Ndryshe kjo ndeshje mes dy skuadrave shqiptare ishte shumë e tensionuar, ku si rezultat arbitri kryesor tregoi 8 kartonë të verdhë dhe një të kuq.
Ishte Samed Sheji i Struga Trim Lum ai i cili u ndëshkua me kartonë të kuq në minutën e 70-të, kur edhe u krijua një tollovi më e madhe mes futbollistëve të të dyja skuadrave, ku si rezultat arbitri kryesor tregoi edhe tre kartonë tjerë të verdhë, dy për vendasit (Afrim Luma dhe Mërgim Lutfiu) dhe një për mysafirët (Adnan Ismaili).
Pas këtij barazimi Struga Trim Lum tashmë ndan pozitën e parë në tabelën e klasifikimit së bashku edhe me Vëllazërimin e Kërçovës. Që të dyja skuadrat kanë nga 16 pikë, mirëpo duhet theksuar se skuadra kërçovare e Vëllazërimit ndeshjen e javës së 9-të do ta zhvillojë gjatë ditës së nesërme kundër Teteksit.
Në anën tjetër Zajazi mbetet në pozitën e fundit të tabelës së klasifikimit, me vetëm 6 pikë të tubuara.