Skuadra e Bazelit ku luajnë dy futbollistët shiptarë, Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti, ka shënuar fitoren e radhës në kampionat, duke mundur Tunin me rezultatin 2:1 në ndeshjen e vlefshme të javës së 12-të në elitën e futbollit zviceran.
Ajeti realizoi golin e dytë për kampionët në fuqi të Zvicrës në minutën e 61-të, teksa goli i parë ishte pjesë e Luka Zufit në minutën e 35-të, të pjesës së parë.
Golin e nderit për Tunin në këtë përballje e realizoi Kostanco në minutën e 68-të, mirëpo vetëm kaq, pasi kjo ishte e tëra që mundën të bëjnë futbollistët mysafir në këtë përballje, në të cilën për 90-të minuta te Bazeli luajti edhe mesfushor i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka.
Përveç këtij takimi, gjatë ditës së sotme në elitën e futbollit zviceran u zhvillua edhe përballja miidis Cyrihut dhe Grashopersit, në të cilën ndeshje skuadra mysafire realizoi fitore të thellë 0:4. Në mesin e autorëve të golave për Grashopersin në këtë ndeshje u regjistrua edhe futbollisti me origjinë shqiptare që luan për Zvicrën, Nedim Bajrami, ndërkohë nga minuta e 79-të në lojë te kjo skuadër u inkuadrua edhe futbollisti i Shpresave kuqezi, Arijan Qollaku.