Shkëndija U19 është eliminuar që në rrethin e parë të garave në kuadër të Ligës së Kampionëve, ndryshe e njohur si UEFA Youth League. Shpresat “kuq e zi” u eliminuan nga skuadra sllovake e Nitrës, të cilës skuadër i mjaftoi barazimi i sotshëm 1:1 për të kaluar në fazën tjetër.
Rikujtojmë Shkëndija në ndeshjen e parë të zhvilluar në Sllovaki ishte mundur me rezultatin minimal 1:0. Si duket vendimtarë në kalimin e Nitrës për më tej ishte goli i shënuar qënë minutën e 7-të nga ana e Marian Çobot.
Ky gol çregulloi rrjedhën e skuadrës vendase, e cila golin e barazimit e gjeti në minutën e 25-të me anë të Alban Rasimit.
Gjatë pjesës së dytë të besuarit e trajnerit Bekim Osmani ishin më kërkues dhe në disa raste përmes Zejnullait, Ramadanit dhe Rasimit rrezikuan portën kundërshtare, mirëpo jo edhe për ta tundur atë, ashtu që në fund ndeshja u mbyll me barazimin 1:1, edhe pse shumë pak mungonte që mysafirët nga Sllovakia në minutën e 74-të, të realizojnë edhe golin e dytë me anë të Fabrit, mirëpo shtylla ishte aleate e “kuqezinjëve”.