Skuadra kundërshtare e Vardarit në ndeshjen e xhiros së tretë të grupit “L” në Liga Europa, Real Sociedadi, ka bërë të ditur listën e futbollistëve udhëtues për në Shkup, ku të enjten do të përballet me skuadrën e Vardarit.
Ndër emrat më të njohur te skuadra spanjolle, është ai i ish futbollistit të Mançester Junajtedit, shqiptarit Adnan Januzajt, i cili njëkohësisht një periudhë ishte edhe pjesë e përfaqësueses së Belgjikës. Pjesë e formacionit të skuadrës baske do të jetë edhe ish futbollisti i Arsenalit, Karlos Vela, ndërkohë ndër emrat e njohur bënë pjesë edhe ai i Asier Illaramendi, i cili një periudhë ishte pjesë e Realit të Madridit.
Ndërkohë për shkak të dëmtimeve për në Shkup nuk do të udhëtojnë fare futbollistët si Martinez, Zurutuza, Guridi, Huanmi dhe Agriteçe.
Real Sociedadi pas dy xhirove të para ka regjistruar një fitore dhe një disfatë, dhe aktualisht me 3 pikë renditet në pozitën e dytë, po aq sa ka edhe Rosenborgu në vendin e tretë, ndërkohë Vardari me 0 pikë pozicionohet në vendin e fundit të grupit, që udhëhiqet nga gjigandët rus të Zenitit.