KB Shkupi vazhdon përforcimin e skuadrës për ndeshjet kampionale që e presin këtë skuadër në elitën e basketbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Duke pasur parasysh se skuadra nga Çairi vetëm në momentin e fundit u bë pjesë e më të mirëve falë zgjerimit të Ligës së Parë të Basketbollit, ata ishin pasiv në transferimin e basketbollistëve cilësor para startit të sezonit, ashtu që tashmë me një tempo të lartë janë duke punuar në këtë drejtim.
Emër i ri në rradhët e KB Shkupit është amerikani, Xhozef Tejllor, i cili në kampionatin e Maqedonisë vjen nga Suedia, më konkretisht nga skuadra e Djurgarden. Bëhet fjalë për një basketbollist 32-vjeçar me një karrierë të bujshme, pasi ka luajtur në shumë kampionate, përfshirë këtu edhe atë turk dhe polak.
Ai është i gjatë 203cm, ndërsa luan në pozitat 4/5. Kontrata e tij është një vjeçare, njëjtë sikurse ajo e Ty Harris, i cili ditë më parë përforcoi rradhët e KB Shkupit. Megjithatë trajneri i skuadrës shqiptare, Enver Miftari në një bisedë me “infOSport.mk” tha se KB Shkupi nuk ndalet këtu kur janë në pyetje përforcimet e reja dhe se në plan kanë edhe dy basketbollistë tjerë amerikan, me të cilët janë në bisedime e sipër.