Futbollisti shkupjan Jasir Asani falë formës së tij të mirë nëpër të cilën po kalon me ekipin B të Partizanit po troket fuqishëm në derën e trajnerit Iuliano për në ekipin e parë.
Sulmuesi i afruar nga skuadra shqiptare gjatë muajit shtator po tregon vlerat e tij për momentin me ekipin B, para se t’i bashkohet rregullisht skuadrës së parë për të dhënë kontributin në Superiore.
Sot Asani ndihmoi me një tregolësh Partizanin B, skuadër kjo që shënoi fitore me rezultatin 4:1 ndaj Sopotit në ndeshjen e javës së tretë të Kategorisë së Dytë.
Pas avantazhit të Sopotit me Tanushin në minutën e 49, ish sulmuesi i FC Shkupit, Vardarit dhe Pobedës gjeti shumë shpejt golin e barazimit, duke shënuar vetëm një minutë më vonë, ndërkohë në minutën e 60-të Hoxha shënoi edhe golin e dytë për Partizanin B. Asani u rizgjua sërish në 10 minutëshin e fundit të takimit, kur në minutat 82 dhe 90 shënoi edhe dy gola të tjerë për të vulosur fitoren 4:1 të Partizanit B. Ishte ky goli i katërt për Asanin me skuadrën shqiptare, e cila kryeson renditjen me pikë të plota në Kategorinë e Dytë.