Dy penalti në dy ndeshje të njëpasnjëshme ndaj portierëve shqiptarë dhe asnjë gol të shënuar për Paolo Dybalan. Sulmuesi argjentinas pasi javë më parë nuk arriti që të mposht Etrit Berishën në ndeshjen ndaj Atalantas, ai të shtunën në mbrëmje nuk arriti që të mposht edhe Thomas Strakoshën e Lacios, një portier tjetër ky i Kombëtares shqiptare.
E gjithë kjo ka bërë që edhe disa nga tifozët e Juves të kërkojnë që Dybala mos ti ekzekutojë më goditjet nga pika e bardhë. Mirëpo për një gjë të tillë vendos vetë trajneri Masimiliano Alegri, i cili mendon se ka një zgjidhje edhe më origjinale sa i përket kësaj çështje, ndërsa një gjë të tillë ka shpjeguar shumë mirë në një intervistë që ka dhënë pas ndeshjes për Juventus TV.
“Kush e gjuan penalltinë e ardhshme?”, ishte pyetja që iu bë teknikut bardhezi nga gazetari, ndërsa përgjigjja e Alegrit ishte kjo: “Penaltinë e ardhshme, nëse portieri nuk do të jetë shqiptar, do ta gjuajë Dybala”.